KËRKESË URGJENTE NGA FORUMI KOSOVAR I AFTËSISË SË KUFIZUAR
FORUMI KOSOVAR I AFTESIVE TE KUFIZUARA
28 Mar 2020
KËRKESË URGJENTE NGA FORUMI KOSOVAR I AFTËSISË SË KUFIZUAR –
Organizatë ombrellë dhe mekanizëm gjithëpërfshirës i 8-të Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuar në Kosovë
Datë: 28 Mars 2020
Drejtuar: Z. Besnik Bislimi, Ministër i Financave dhe Transfereve i Republikës së Kosovës
- Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
Tema: Subvencionim për familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme
Forumi Kosovar i aftësisë së Kufizuar përmes kësaj shkrese kërkon nga Ministria e Financave dhe Transfereve që të subvencionojë për 3 muajt e ardhshëm të gjitha familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme të cilat janë përfitues të Ligjit Nr. 03/L-022 Për Përkrahje Materiale Familjeve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuar të Përhershme. Familjet që janë në përkujdesje të fëmijëve me aftësi të kufizuara janë duke hasur sfida të rënda ekonomike duke qenë se shuma e përfitimit nga ky ligj është tejet e vogël (100 euro në muaj) dhe nevojat e tyre janë rritur edhe më shumë si pasojë e rrethanave të krijuara nga pandemia globale COVID 19.
Duke qenë se përfitues të Ligjit Nr. 03/L-022 Për Përkrahje Materiale Familjeve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuar të Përhershme janë fëmijët me sindromën down dhe autizëm ndërkaq janë krejtësisht të përjashtuar fëmijët e shurdhër, ju lutemi që ta keni në konsideratë edhe gjendjen e fëmijëve të shurdhër. Ngase, aktualisht këta të fundit, nuk përfitojnë përkrahje materiale nga asnjë skemë ligjore për personat me aftësi të kufizuara dhe në këtë mënyrë janë një grup me një gjendje shumë të rëndë financiare. Ne konsiderojmë që është shumë e nevojshme të gjindet një alternativë subvencionimi për 3 muajt e ardhshëm edhe për fëmijët e shurdhër.
Andaj, ju lutemi t’i keni në konsideratë vështirësitë dhe nevojat me të cilat janë duke u ballafaquar të gjitha familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme. Meqenëse gjendja e tyre është rënduar edhe më shumë shkaku i rrethanave ekonomike të krijuara nga pandemia globale COVID-19, ju lutemi shumë që t’ia mundësoni marrjen e subvencioneve shtesë të gjitha familjeve të fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme, ashtu sic ia mundësuat subvencionet pensionistëve të Kosovës.
Ju lutemi ta shqyrtoni me urgjencë kërkesen tonë!
Me respekt,
Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar