Letër Kërkesë për Kryeministrin e Republikës së Kosovës
FORUMI KOSOVAR I AFTESIVE TE KUFIZUARA
14 Feb 2020
Letër Kërkesë
për
Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti
LËNDA: Ministria e Shëndetësisë të shëndrrohet në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar (FKAK) është një organizatë ombrellë e tetë organizatave të personave me aftësi të kufizuara dhe si mision kryesor ka mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, pa dallime. FKAK, synon të avokojë për zhvillim dhe implementim të mirëfilltë të të drejtave ligjore të personave me aftësi të kufizuara, për të përmirësuar kështu situatën e tyre të pafavorshme sociale.
Pas informimit se me ndarjen e ministrive në kabinetin e ri qeveritar, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, është ndarë në disa ministri. Transferet sociale janë bartur tek Ministria e Financave, ndërkaq sektori i punësimit është bartur tek Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike. Por, ende mbetet e paqartë se në cilën ministri është bartur apo do të bartet sektori i Mirëqenies dhe Shërbimeve Sociale, si një ndër sektorët më të rëndësishëm për të gjithë komunitetin e aftësisë së kufizuar.
Duke qenë ende e pa definuar kjo qështje, në emër të tetë organizatave të personave me aftësi të kufizuara Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, mbështetë iniciativën e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) që mirëqenia dhe shërbimet sociale të kalojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, edhe në përmbajtje edhe në emërtim, më konkretisht duke u emërtuar si Ministri e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Duke qenë se një ndër prioritetet kryesore në programin qeverisës të juajin Z. Kryeministër Kurti, është mirëqenia dhe shërbimet sociale, vlerësojmë që kërkesa e komunitetit të aftësisë së kufizuar të përfaqësuar nga Forumi do të gjejë miratimin tuaj, duke u bazuar edhe në arsyet e më poshtme:
- Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar thekson qartë obligimet e shteteve palë mbi njohjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar për një standard adekuat jetese, përfshirë ushqimin, veshjen, strehimin, punësimin si dhe sigurimin e pensionit, të cilat pra përbëjnë një standard dhe obligimndërkombëtarë.[1] Edhe përkundër faktit që shteti është përgjegjës për mirëqenien sociale, dhe të sigurojë që të gjithë banorët e Kosovës të kenë qasje të barabartë në shërbimet sociale dhe familjare duke përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuar. Mirëqenia sociale mbetet një ndër sektorët më të pazhvilluar dhe neglizhuar në Kosovë.
- Shteti ka për detyrë të ofrojë shërbime sociale dhe familjare bazuar në legjislacionin në fuqi dhe në konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut. Por, vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara përfitojnë nga shërbimet sociale dhe familjare. Ndërkaq, shuma mujore për vetëm disa lloje të aftësisë së kufizuar deri në moshën 18 vjeçare vazhdon të jetë 100 euro.
- Duke qenë se përmirësimi i Mirëqenies Sociale të Personave me Aftësi të Kufizuara, është një ndër fushat prioritare të Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës 2013-2023. Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar (FKAK), e ka të rëndësishme referencën institucionale, të monitorimit të zbatimit të aktiviteteve në fushën e mirëqenies sociale.
Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme dhe të nevojshme mirëqenien sociale të personave me aftësi të kufizuar si pjesë të kësaj shoqërie, Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, mbështetë plotësisht iniciativën e ndërmarrë nga KOMF, që dikasteri i mbrojtjes dhe shërbimeve sociale të kalojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, si në përmbajtje ashtu edhe në emërtim.
Organizatat anëtare të Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar janë:
- Down Syndrome Kosova
- HandiKos
- Shoqata Kosovare e të Shurdhërve
- Shoqata e të Verbërve rë Kosovës
- Shoqata ”Autizmi”
- Handikep Kosova
- Klubi “Dëshira”
- Organizata e Prindërve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara.
[1] Zyra për Qeverisje të Mirë. “Strategjia Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës”