Qasshmëria digjitale për personat me aftësi të kufizuara

FORUMI KOSOVAR I AFTESIVE TE KUFIZUARA

12 Oct 2023

Prishtinë – Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar me përditësimin e uebfaqes (www.kdf.org) ka integruar edhe platformën e qasshmërisë e cila do ta bëjë më të lehtë navigimin në faqe për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara.

Kjo platformë (My Acces Way) e cila është integruar më parë edhe në faqen e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës (https://kryeministri.rks-gov.net) lehtëson qasjen në informata përmes parametrave si funksionaliteti i tekstit në të folur, rregullimi i kontrastit, navigimi me tastierë, zmadhimi i tekstit, duke siguruar kështu që faqet e internetit të kujdesen për një audiencë më të gjerë, duke përfshirë personat me aftësi të kufizuara vizuale, dëgjimore, njohëse dhe fizike.

Kosova përmes këtij programi përmbushë rekomandimet evropiane për qasjen digjitale të personave me aftësi të kufizuara dhe vendoset në sinkron me legjislacionin Evropian, saktësisht me EAA/EN 301549 ( European Accessibility Act)– i cili u miratua nga Bashkimi Evropian në prill të vitit 2019.

Viteve të fundit, qasja digjitale ka fituar një rëndësi më të madhe, meqenëse personat me aftësi të kufizuara janë rritur në mënyrë të konsiderueshme si përdorues interneti. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi një miliard njerëz ose afërsisht 15% e popullsisë së botës jetojnë me një formë të aftësisë së kufizuar.

Për ta bërë internetin e qasshëm për të gjithë është jetike të merren parasysh dhe të plotësohen nevojat e këtyre grupeve të rëndësishme të shoqërisë.

Përditësimi i faqes së Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar është mbështetur në kuadër të projektit i cili mbështetet nga UNICEF Kosovo Programme në partneritet me USAID Kosovo./FKAK