Çështje sfiduese vazhdojnë të mbesin: moszbatimi i Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara

FORUMI KOSOVAR I AFTESIVE TE KUFIZUARA

07 Dec 2022

Drejtoresha e departamentit për mbrojtje ligjore dhe mbrojtje nda diskriminimi, znj. Suzana Gashi

Në javën paraprake Institucioni i Avokatit të Popullit dhe zyra e OSBE-së në Kosovë për nder të shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar organizuan një tryezë të gjerë dhe diskutuan për sfidat dhe problemet me të cilat hasin personat e komunitetit

“Përafrimi i legjislacionit të Kosovës me parimet e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara” ishte tema kryesore që diskutuan pjesëmarrësit e tryezës si: anëtarë nga Qeveria e Kosovës, deputetët, pjesëmarrës nga organizatat jo-qeveritare dhe ato ndërkombëtare, dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.

Në këtë takim Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se Institucioni ka mbledhur shumë të dhëna dhe ka kryer hetime të rasteve sipas ankesave të pranuara, të siguruara nga takimet me personat me aftësi të kufizuar dhe shoqatat që mbrojtjen të drejtat e tyre. Ai apeloi te qeveria e Kosovës që të përmbush të gjitha detyrimet ligjore e kushtetuese, dhe moszbatimi i ligjit mos të kaloi pa u ndëshkuar dhe pa llogaridhënie.

“Kërkoj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të përfshij në kushtetutë konventën e personave me aftësi të kufizuar, si ombrellë gjithëpërfshirëse legjislative që detyrimisht kërkon edhe përafrimin e legjislacionit me parimet dhe detyrimet që dalin nga kjo konventë,” tha z. Qelaj.

Ndërsa, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Michael Davenport tha se OSBE i sheh të drejtat e personave me aftësi të kufizuara si të drejta themelore të njeriut dhe duhet të punojmë më shumë për të luftuar për mbrojtjen e tyre, për të punuar drejt gjithëpërfshirjes dhe mosdiskriminimit.

“Le të kujtojmë gjithashtu se personat me aftësi të kufizuara kanë një kontribut të madh për të dhënë në të gjitha fushat e jetës sonë – në sport. arsimin, shkencën, kulturën, politikën dhe jetën publike. Ne të gjithëve na takon të krijojmë kuadrin e duhur që personat me aftësi të kufizuara të jenë në gjendje të shfrytëzojnë mundësitë dhe të lulëzojnë në shoqëritë tona”, tha z. Davenport.

Më shumë hollësi në aspektin ligjor solli drejtoresha e departamentit për mbrojtje ligjore dhe mbrojtje nda diskriminimi, znj. Suzana Gashi, e cila foli për fushatën e mbajtur nga IAP gjatë këtij viti ”Barazi për të Gjithë”.

Ajo tha se qëllimi i fushatës ka qenë fuqizimi i bashkëpunimit me institucionet publike, me shoqërinë civile, me mediet dhe me aktivistë të të drejtave të njeriut.

Nga të dhënat e mbledhura në terren, ajo tha se çështje sfiduese vazhdojnë të mbesin: moszbatimi i Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara; mungesa e qasjes në infrastrukturë, veçanërisht në objektet e gjykatave dhe prokurorive si dhe QPS-ve nëpër komuna të ndryshme; vendimet shabllone të komisioneve mjekësore për refuzim të njohjes të së drejtës për pension apo ndërprerje të pensioneve për këtë kategori; përkrahja e pamjaftueshme për personat me autizëm dhe Down Syndrome; mungesa e përkrahjes dhe mospërfshirja e personave shtatshkurtër në skemat përfituese, etj.

Përfaqësues të OJQ-ve për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara po ashtu nënvizuan problemet e njëjta që ata hasin, duke rikujtuar autoritetet gjegjëse për të bërë më shumë në zbatimin e ligjeve që do të ofronin mbështetje dhe ndihmë më të madhe për personat me aftësi të kufizuar.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar shënohet çdo vit më 3 dhjetor, e vendosur me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit lidhur me situatën e personave me aftësi të kufizuar në shoqëri, si në jetën politike, sociale, ekonomike dhe kulturore./KDF

Burimi dhe foto: IAP