Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar (3 Dhjetori)

FORUMI KOSOVAR I AFTESIVE TE KUFIZUARA

05 Dec 2017

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar (3 Dhjetori), synon të promovojë zbatimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në të gjithë botën. Kjo ditë ka për qëllim të mobilizojë mbështetjen e të gjithëve për të rritur dinjitetin, për të respektuar të drejtat dhe për të siguruar mirëqenien e personave me aftësi të kufizuar.

Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar në bashkëpunim me organizatën HandiKos, ka organizuar një konference me qëllim të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar. Të pranishëm në konference ishin akter të ndryshëm institucional, vendor dhe të huaj. Nga Zyra e Avokatit, z.Hilmi Jashari, nga Zyra për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit, z.Habit Hajredini, nga Zyra e Unionit Evropian në Kosovë, z.Visar Bivolaku, si dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Forumit, partner dhe mbështetës; që u mblodhën të gjithë së bashku për të promovuar dhe avancuar nisma aktuale drejtë avancimit të të drejtave ligjore dhe përmirësimit të jetës së personave me aftësi të kufizuar në Kosovë.

Gjatë kësaj konference u bë edhe lansimi i tre videove që kanë për qëllimi promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në Kosovë, dhe që prekin çështjen e aftësisë së kufizuar nga këndvështrime të ndryshme. Dy nga videot e lanësuar, ‘’Të drejtat e vajzave dhe grave me aftësi të kufizuar” dhe ‘’Edukimi i personave me aftësi të kufizuar”, janë të realizuara nga organizata HandiKos. Ndërsa video ‘’Të kuptojmë situatën e fëmijëve me aftësi të kufizuar në Kosovë përmes vetë zërit të tyre’’, është realizuar nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar.

Përveç të tjerash, gjatë këtij takimi u nda mirënjohje për dy nga mbështetësit e parë të funksionalizimit të Forumit, banka KEP Trust dhe kompania RELUX.

Në fund, konferenca u përmbyll me nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit në mes Zyrës së Avokatit të Popullit dhe Zyrës për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit.